Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje kancelarit gjerman, Olaf Scholz që të ndërmarrë një “hap të fuqishëm” dhe ta vizitojë Kievin të hënën – datën kur Rusia përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
Duke folur nëpërmjet një përkthyesi në institutin Chatham House të Londrës, presidenti ukrainas dënoi Rusinë, veçanërisht për Mariupolin, ku Kievi thotë se ka ende civilë të fshehur në një fabrikë çeliku të rrënuar e cila është nën rrethim, transmeton Telegrafi.
Por ai i ofroi gjithashtu ftesën kancelarit Scholz pasi marrëdhëniet e dy vendeve u tensionuan kur presidenti gjerman u ndalua të vizitonte Kievin muajin e kaluar.
“Ai është i ftuar, ftesa është e hapur, ka qenë prej disa kohësh”, tha Zelensky në një video-telefonatë.
“Ai është i ftuar të vijë në Ukrainë, ai mund ta bëjë këtë hap shumë të fuqishëm politik për të ardhur këtu më 9 maj, në Kiev. Nuk po shpjegoj rëndësinë, mendoj se e dini pse”.
“Dita e Fitores” më 9 maj është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të Rusisë – një kujtim i sakrificës sovjetike të bërë në mposhtjen e Gjermanisë naziste në atë që në Rusi njihet si Lufta e Madhe Patriotike. /Telegrafi/