Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Zvicrës që të gjurmojë oligarkët rusë për të cilët ai thotë se kanë kontribuar në pushtimin rus në vendin e tij – duke qëndruar të sigurtë “në qytezat e bukura” të Zvicrës.
Fjalimi i tij është transmetuar me video, ku mijëra njerëz janë mbledhur në Bern të Zvicrës për të protestuar kundër luftës në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Ai falënderoi Zvicrën për përkrahjen që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, por ka bërë thirrje për më shumë veprime në sektorin financiar.
“Bankat e juaja janë vendi ku qëndrojnë paratë e njerëzve që po e cilësojnë luftën si gënjeshtër. Është e dhimbshme. Duhet bërë luftë kundër të ligës, duke ua ngrirë llogaritë. Kjo do të ishte një luftë e drejtë, nëse veproni kështu”, tha Zelensky.
“Ukrainasit e dinë se çfarë do të thotë të shkatërrohen qyteteve. Ato po shkatërrohen te ne me urdhër të njerëzve që jetojnë në qytezat e bukura evropianë – përkatësisht në ato të Zvicrës, që kënaqen në qytetet e juaja. Do të ishte mirë nëse ua shkurtoni ato privilegje”, shtoi presidenti ukrainas.
Zvicra nuk është anëtare e BE-së, megjithatë ka adoptuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë, përfshirë këtu ngrirjen e llogarive të individëve të caktuar nëpër bankat zvicerane.
Bankat e këtij shteti mbajnë 213 miliardë dollarë (161 miliardë funte) të pasanikëve rusë. /Telegrafi/