Telegrafi

Zelensky befasoi me përqafim gazetaren ukrainase të BBC-së gjatë vizitës historike në Mbretërinë e Bashkuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri një vizitë historike në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën – dhe befasoi një bashkatdhetare me një përqafim gjatë një momenti të improvizuar gjatë një konference për shtyp.

Udhëtimi i Zelenskyt u njoftua vetëm të mërkurën në mëngjes, ndërsa ai kërkon mbështetje për rezistencën e Ukrainës pas agresionit të Rusisë i cili filloi shkurtin e kaluar.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gjatë një konference për shtyp në Dorset, një gazetare ukrainase e BBC-së u ngrit në këmbë dhe pyetjes së saj i parapriu duke thënë se do të donte ta përqafonte Zelenskyn, por ndoshta nuk do të lejohej.

Lexo po ashtu Boris Johnson i kërkon Britanisë së Madhe t'i ofrojë Ukrainës “të gjithë aeroplanët dhe tanket e saj”

“Pse jo?”, u përgjigj Zelensky, përpara se të lironte foltoren e tij dhe të ofronte një përqafim të ngrohtë.

Rishi Sunak, kryeministri britanik, mund të shihej në sfond duke buzëqeshur dhe duartrokitur.

Gazetarë të tjerë e përshkruan momentin si “prekës” teksa e regjistruan gjithashtu momentin me telefonat e tyre.

Zelensky ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar ndër tjerash edhe për të kërkuar nga ky vend që të furnizojë Ukrainën me aeroplanë luftarakë për përpjekjet e luftës ndaj Rusisë, diçka që aleatët perëndimorë kanë refuzuar deri më tani.

Ai mbajti një fjalim para ligjvënësve në Westminster Hall, gjatë të cilit i dhuroi Sir Lindsay Hoyle, Kryetarit të Dhomës së Komunave, një përkrenare nga një pilot luftarak ukrainas, me mesazhin: “Ne kemi lirinë. Na jepni krahë për ta mbrojtur atë”. /Telegrafi/