Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani ka folur pas fitores së sotme ndaj Gjilanit në shtëpi në kuadër të javës së 29-të në Ipko Superligën e Kosovës.
Feronikeli nuk ka lejuar befasi në shtëpi, pasi ka fituar me lehtësi ndaj Gjilanit me rezultat 2-0.
Megjithatë, sipas Ramadanit kjo fitore nuk ishte e lehtë dhe nuk ka harruar t’i përgëzojë lojtarët për angazhimin dhe luftën për titull.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. E arritëm objektivin duke fituar tre pikët. Në pjesën e parë ishim dominues në çdo aspekt, ndërsa në pjesën e dytë u tërhoqëm pak”, ka thënë fillimisht Ramadani pas ndeshjes.
“I përgëzojë lojtarët e mi për angazhimin dhe fitoren. Nuk kemi kohë për të pushuar”.
“Cili ekip ka disiplinë, nerva dhe dëshirë do ta fitojë në fund titullin e kampionit. Sigurisht edhe ai që bën më pak gabime”, përfundoi trajneri i Feronikelit.
Momentalisht Feronikeli është lider në tabelë me 68 pikë apo dy më shumë se Llapi i vendit të dytë dhe tri më shumë se Prishtina e vendit të tretë që ka një ndeshje më pak. /Telegrafi/