Site icon Telegrafi

Zeka: Tashmë është momenti i duhur që të ndryshohet modeli ekonomik i Kosovës

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, në një intervistë për Telegrafi.com

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë se, pas kalimit të pandemisë COVID-19, është momenti i duhur që të ndryshohet modeli ekonomik i vendit.

Zeka duke folur në një intervistë për Telegrafin, thotë se rritja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit duhet të bazohet në investimet e brendshme dhe të jashtme.

“Një gjë që e kemi potencuar ditëve të fundit është nevoja për ndryshimin ekonomik të vendit. Nëse e analizojmë atëherë kur publikohen të dhënat nga Agjencia e Statistikave apo Banka Qendrore, struktura ekonomike e vendit, ku shohim se pjesën dërmuese rritja ekonomike e jona varet nga dërgesat nga diaspora e cila pastaj e nxit konsumin dhe nga ana tjetër kemi investimet publike të cilat kanë një pjesëmarrje të rëndësishme në rritjen ekonomike të vendit. Por, ato që do të duhet të kishin burime më stabile apo qëndrueshme të rritjes ekonomike i jepet shumë pak hapësirë, po flasim për investimet e brendshme apo vendore dhe ato të jashtme. Nga viti në vit, kemi pasur rënie të investimeve të jashtme dhe struktura e tyre është jo aq e qëndrueshme, po flasim kryesisht për investime në patundshmëri dhe sektorin e ndërtimit, ku prapë rrezikojmë pjesën më të madhe të rrolit që diaspora në këtë shumë të investimeve të huaja direkte që e kemi”, tha Zeka.

Ai thotë se, ky është momenti që të rishikohet modeli duke pasur për bazë mësimet nga e kaluara.

“Tashmë është momenti i duhur që të ndryshohet modeli ekonomik. Nëse do të flasim për një rrol të shtuar të shtetit, qoftë në mbështetje të sektorit privat apo në fuqizimin e ekonomisë në përgjithësi apo rikuperimit ekonomik pas pandemisë, ky është momenti i duhur që shteti të përcaktoj, jo shteti si një aparat i vetëm, por në koordinim apo bashkërendim me të gjitha palët e tjera, përfshirë odat ekonomike, sindikatat, ekspertët e pavarur, institutet e ndryshme të ekonomisë, profesorët universitar, bankat, institucionet financiare, organizatat donatore, ku të gjithë duhet të ulemi dhe të diskutojmë dhe të vendosim në suaza të asaj ku duhet të bazohej rritja e ardhshme ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur parasysh mësimet që i kemi nxjerrë nga e kaluara”, tha Zeka.

Lexo po ashtu Zeka: COVID-19 ka ndërprerë në tërësi aktivitetin e 40 për qind të bizneseve, pjesa tjetër rrezikohet të mbijetojë

Po ashtu, drejtori ekzekutiv i OEAK-ut në këtë intervistë ka folur edhe për ndikimin e pandemisë së COVID-19 në sektorin privat, informalitetin dhe rënien ekonomike të vendit në këtë kohë të emergjencës shëndetësore. /Telegrafi/

Exit mobile version