Të hënën, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka miratuar Rregulloren për obligimet e shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore.
Rregullorja e miratuar synon implementimin e Kapitullit VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve”, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që përcakton obligimet e medieve ndaj subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.
Përmes dispozitave të kësaj Rregulloreje, mes tjerash përcaktohet edhe qasja e drejtë dhe e paanshme nga mediet gjatë fushatës së zgjedhjeve.
Për miratimin e kësaj rregullore u diskutua në emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ku të ftuar ishin Ardita Zejnullahu, drejtore ekzekutive e Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës dhe Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave.
Zejnullahu në emision u shpreh se janë disa ndryshime të reja që kanë ndodhë me miratimin e kësaj rregullore, ku bëhet fjalë për ‘shitjen e sasisë së kohës’ që mediat e bëjnë për partitë politike.
“Nga ajo çka prezantoi Jetoni, domethënë me ndryshimet e reja që kanë ndodhë në ligj ka qenë çështja më diskutabile edhe që për herë të parë është vënë në funksion këtu në Kosovë, blerja, respektivisht shitja e sasisë së kohës në të cilën mediat ia shesin partive politike apo të cilën partitë politike e blejnë prej mediave. Të gjitha mediat kanë qenë njëzëri të mos caktohet orari prej kur duhet të është shitet ajo kohë, e nga ajo çka tha Jetoni, duket se orari i paska mbetur”, theksoi ajo.
Zejnullahu thotë se ata kanë kërkuar që të bëhet kufizimi i shitjes së kohës.
“Do me thënë, na kemi i thënë që kufizojeni, po ju detyron ligji me bë njëfarë lloj kufizimi të shitjes së kohës, atëherë kufizoni ashtu siç e thotë ligji, sasinë e kohës së imitimit, jo në orare të kufizimit. Për shkak se e mendojmë se kjo është diskriminuese për audiencat e ndryshme edhe e kemi mendu që ajo duhet të lihet në diskrecionin e mediave për të vendosur kur duan me aloku atë kohën e shitjes për parti politike. E, prej prezantimit të Jetonit po e shoh që është marrë parasysh në njëfarë forme, kjo se sa minuta në ditë duhet të shesin mediat e partitë politike”, potencoi ajo.
Tutje, ajo tha se limiti i propozuar ka qenë 96 minuta dhe se kjo tashmë ka rënë në 90 minuta, e që është njëfarë optimale e garantuar.
Në intervistë, Zejnullahu shprehu edhe disa shqetësime rreth orarit.
“Realisht mu po më brengos që ky lloj i orarit të kufizuar prej orës dymbëdhjetë në njëzet e katër, që në njëfarë forme paska mbete. Për faktin se ligji nuk e kërkonte në atë formë, më tepër ka qenë insistimi i KPMM-së”, u shpreh Zejnullahu.
Ndryshe, me miratimin e rregullores parashihet që mediet të cilat vendosin të organizojnë programin e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duhet të deklarohen tek KPM nëse do të mbulojnë fushatën jo më larg se shtatë ditë kalendarike, para fillimit të fushatës zgjedhore. /Telegrafi/