Site icon Telegrafi

Zëdhënësi i Qeverisë flet për rrjedhjen e dokumenteve: Kurti po sfidohet nga individë ende të panjohur të administratës

Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu ka hedhur dyshime se nga administrata e Zyrës së Kryeministrit ka persona që po e sfidojnë Kurtin dhe kabinetin e tij.

Kryeziu thotë se shpeshherë vendimet e Kurtit po dalin më media me gabime teknike pa kaluar në duar të zyrtarëve të brendshëm.

“Që nga fillimi kryeministri Kurti dhe kabineti i tij sfidohen nga individë ende të panjohur nga administrata e Zyrës së Kryeministrit. Vendimet dhe emërimet e nënshkruara nga ai, shpesh, vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar rrjedhin në media para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, dhe madje përgatiten shkresa me gabime teknike. Kapësit politikë të shtetit i kemi larguar me 14 shkurt dhe 22 mars, por sigurisht se ka shumë të tillë nëpër zyrat e shtetit”.

Në njërin prej dokumenteve që është publikuar dje është parë nënshkrimi i kryeministrit, Albin Kurti, mbi letrën ku figuronte ende emri i Avdullah Hotit si kryeministër.

E për këtë lëshim ka shkruar edhe Kryeziu, i cili ka thënë se administrate duhet t’i shërbejë Kryeministrit e jo ta luftojë atë.

“Në lidhje me vendimin nga mbledhja e fundit, ai është përmirësuar menjëherë. Dokumenti i përmirësuar është protokolluar, por megjithatë shkresa e vjetër, para se të asgjësohet, është publikuar nga administrata. Administrata duhet t’i shërbejë kryeministrit të shtetit, jo ta luftojë atë”, ka shkruar Kryeziu./Telegrafi/

Dokumenti që Kryeziu thotë se është përmirësuar menjëherë
Exit mobile version