Telegrafi

Zëdhënësi i Putinit: Askush nuk e do Rusinë

Sekretari i shtypit i Presidentit të Federatës Ruse, Dmitry Peskov, ka thënë se “askush nuk e do Rusinë” në Perëndim.

Këtë deklaratë ai e ka bërë derisa po përgjigjej në një pyetje të një gazetari se “kah po shkon Rusia tani?”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Dhe kjo deklaratë është shpërndarë nga Anton Gerashchenko, një këshilltar i qeverisë ukrainase, i cili ndau një regjistrim të shkurtër të një interviste të Dmitry Peskov.

Sipas Peskov, marrëdhëniet e Rusisë me vendet perëndimore janë në fazën e konfrontimit, përcjell Telegrafi.

“Ne nuk po lëvizim, por tashmë kemi mbërritur në stacionin e quajtur ‘përballje’. Dhe ne duhet të jemi të bashkuar, të fuqishëm dhe duhet të kemi një kufi sigurie, sepse duhet të jetojmë ende në kushtet e kësaj përballjeje”, tha ai.

“Askush nuk na do dhe nuk do të na dojë shumë. Dhe ne nuk kemi nevojë për këtë”, ka shtuar zëdhënësi i Kremlinit. /Telegrafi/