Telegrafi

Zbulohet shtëpia e përshtatur për rritjen e bimëve narkotike në Kurbin, vihen në pranga 2 shtetas

Policia e Shtetit në Shqipëri ka publikuar sot pamjet e një operacioni për goditjen e një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Në përmbyllje të operacionit, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin D. G., 28 vjeç, banues në Kurbin, si dhe ka shpallur në kërkim shtetasit Y. P., 24 vjeç, banues në Burrel, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Fushë Milot, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të banesës së shtetasit Y. P., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike”, ka thënë policia.

Gjithashtu, në këtë banesë është evidentuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, si dhe ndërtim pa leje i një dhome shtesë.

Sipas policisë, gjatë kontrollit në banesë u konstatua se këta shtetas kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, si dhe kishin ndërtuar një dhomë shtesë, pa leje.

“Gjithashtu është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., 53 vjeç, banues në Milot, Kurbin, me detyrë faturist pranë OSHEE Kurbin, pasi dyshohet se ka lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që furnizonte ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike”, ka shtuar policia.

Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan 271 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo, 2 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për kultivimin e bimëve narkotike etj.

Nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/