Qeveria gjermane raportoi më 26 shkurt se kishte dërguar një grup tjetër ndihme ushtarake në Ukrainë.
Grupi përfshinte, ndër të tjera, predha artilerie, dronë dhe mjete deminimi, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas listës, Ukraina ka marrë 14,000 predha 155 mm nga rezervat e Bundeswehr-it, të prodhuara në uzinat gjermane, si dhe katër tanke WISENT 1 për pastrimin e minave.
Përveç kësaj, Gjermania siguroi gjithashtu tri sisteme të lëvizshme, të telekomanduara dhe të mbrojtura për pastrimin e minave, materiale për asgjësimin e mjeteve shpërthyese dhe 250 komplete mjetesh me lëndë shpërthyese.
Paketa përfshin gjithashtu 10 drone zbulimi Vector, 12 terminale lidhjeje satelitore dhe 4 automjete për mbrojtjen e kufirit.
Ndryshe, në fillim të këtij muaji, kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi gjatë vizitës së Volodymyr Zelensky në Berlin se Gjermania po përgatitej të ndajë një paketë të re ndihme ushtarake prej 1.1 miliardë eurosh për Ukrainën.
Në total, Gjermania ka ndarë ose zotuar 28 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, prej tyre 7 miliardë euro brenda vitit 2024. /Telegrafi/