Telegrafi

Zbulohet një objekt për kultivimin e bimëve narkotike me llamba në Krujë, arrestohen 4 persona

Policia e Shtetit ka zbuluar një magazinë që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, që furnizoheshin përmes një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike në Krujë.

Sipas njoftimit të policisë, janë arrestuar shtetasit Gj. G., 23 vjeç, banues në Shkodër dhe G. P., 18 vjeç, banues në Krujë, që u kapën në flagrancë në magazinë, si dhe u shpallën në kërkim pronari i objektit V. B., 38 vjeç, banues në Krujë, dhe shtetasit D. V., 32 vjeç dhe L. V., 31 vjeç, banues në Krujë (vëllezër), bashkëpunëtorë me pronarin e objektit.

Gjithashtu u arrestuan në flagrancë dhe 2 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE), për shpërdorim detyre.

Policia ka njofuar gjithashtu se ka sekuestruar 700 bimë të dyshuara narkotike, llamba elektrike, aspiratorë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultvimin e bimëve narkotike në ambient të mbyllur.

“Ky operacion u zhvillua bazuar në informacionet e siguruara se në lagjen “Abaze”, në qytetin e Krujës, në një magazinë, kultivoheshin bimë narkotike. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e magazinës me sipërfaqe rreth 400 metër katror, kanë gjetur dhe sekuestruar 700 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo, me anë të llambave dhe pajisjeve të tjera, që furnizoheshin përmes një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike”, ka thënë policia në njoftim.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë. /Telegrafi/