Sipas medieve argjentinase, Lionel Messi është njeriu që fshihet pas mos-ftesës së Mauro Icardit nga kombëtarja argjentinase.
Sulmuesi i Interit, Mauro Icardi ka shënuar gjashtë gola në Serie A, duke treguar edhe lojë të fortë ekipore, por këto nuk po mjaftojnë që ai të fitojë një fanellë të Argjentinës.
Trajneri Edgardo Bauza vazhdon të konfirmojë se preferon sulmues të tjerë, por fusha e lojës nuk i ka dhënë të drejtë, duke parë edhe rezultatet e Argjentinës në ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit, me vetëm dy pikë të siguruara në tre takime.
Sipas medieve nga Argjentina dhe programit shumë të ndjekur televiziv, “Debate Final”, zërat flasin për krijimin e një fronti kundër Icardit në kombëtaren argjentinase me akuza të drejtpërdrejta.
Njeriu i parë që akuzohet është ylli i Barcelonës, Lionel Messi, i cili së bashku me lojtarë të tjerë besnikë ndaj tij, kanë shkuar deri aty sa ti vënë ‘veton’ grumbullimit të Icardit në kombëtare.
Në Argjentinë janë të sigurt që “klani Messi” qëndron pas përjashtimit të sulmuesit interist nga ekipi përfaqësues, pasi sipas analistëve argjentinas kjo ndodh për faktin e thjeshtë se Messi është mik i Maxi Lopez, dhe nuk i fal Icardit tradhtinë që i bëri mikut të tij, duke i rrëmbyer ish bashkëshorten, Wanda Nara. /Telegrafi/