Site icon Telegrafi

Zbulohet mënyra se si eprorët e Policisë i ndanin faturat e shpenzimeve, që të mos kalonin shumën e paraparë

Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka pranuar disa fatura të shumëfishta nga një operator i vetëm me qëllim që të mos kalohej një limit i përcaktuar në shumë prej 100 eurove.

Ky detaj u vu re gjatë një inspektimi të Inspektoratit Policor të Kosovës që ka kryer për disa muaj.

Në raportin e publikuar nga IPK thuhet se është bërë inspektimi dhe është kontrolluar se si policia menaxhon paratë e imëta, para këto që ndahen për të mbuluar shpenzime të vogla.

Menaxhmenti policor në disa përgjigje që i ka dhënë për Inspektoratin Policor të Kosovës ka thënë se paratë e imëta përdoren për kërkesa urgjente dhe të paparashikueshme.

IPK thotë se Policia e Kosovës ka pranuar disa fatura të ndryshme nga një kompani e njëjtë me shuma të ndryshme vetëm që të mos kalohet limiti i shumës prej 100 eurove.

Faturat e shumëfishta sipas IPK kanë qenë me vlera të ulëta dhe janë pranuar brenda një dite. IPK ka thënë se inicimi i inspektimit është ndikuar nga nevoja që Policia të sigurohet se fondet publike shpenzohen në mënyrë të drejtë, racionale dhe ekonomike, për të mbuluar kërkesat e ligjshme të saj.

Një veprim i tillë i kryer nga Policia e Kosovës, bie ndesh me legjislacionin në fuqi, që është Rregulli Financiar për shpenzimin e parave publike.

“Organizatat buxhetore nuk mund të pranoj fatura të shumfishta nga një furnitor për të zvogëluar shumën e faturave individuale në më pak se 100 euro me qëllim të realizimit të një pagese”, thotë pika 7 e nenit 29 të Rregullit Financiar.

IPK ka vërejtur gjatë inspektimit se Policia e Kosovës ka pasur gjithsej 120 transaksione ku operatorët ekonomik kanë lëshuar brenda një dite një deri në pesë fatura me vlera të vogla që në mënyrë grumbulluese tejkalojnë vlerën mbi 100 euro, transmeton Kallxo.com.

Sipas IPK-së, shumica e këtyre transaksioneve lidhen me operatorët ekonomik që kanë ofruar furnizime për reprezentacion.

Lidhur me këtë parregullsi IPK ka rekomanduar për Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave, e gjithashtu edhe Zyrtarit të parave të imëta është që të punojnë në eliminimin e faturave të shumëfishta nga operatorë ekonomik të njëjtë.

Për këtë çështje, sipas raportit të IPK-së, organet përgjegjëse kanë thënë se do të punojnë në drejtim të faturave të shumëfishta nga operatorët e njëjtë.

Sipas të dhënave që ka siguruar IPK gjatë inspektimit del se Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar gjithsej 39 mijë e 311 euro. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së bashku me departamentet përkatëse kanë shpenzuar 23 mijë e 161 euro ndërsa drejtoritë rajonale 16 mijë e 150 euro.

Sa i takon strukturës së si janë shpenzuar këto para, del se më së shumti para janë shpenzuar për furnizim me ushqim dhe pije pra 23 mijë e 182 euro.

Paratë tjera janë shpenzuar kryesisht për pajisje të tjera, riparim të automjeteve, mirëmbajtje të ndërtesave dhe pajisjeve si dhe të tjera për të cilët nuk është dhënë detaje.

Lidhur me shpenzimet me paratë e imëta, IPK ka konstatuar se Policia e Kosovës ka nxjerrë një PSO (Procedurë Standarde të Operimit) me të cilën i ka hapur rrugë shpenzimit të parave të imta edhe për reprezentacionin.

Lidhur me këtë çështje Inspektorati ka vlerësuar se PSO ka nxjerrë rregull të cilën policia nuk e ka hasur në legjislacionin në fuqi mbi financat publike.

IPK ka pasur edhe rekomandime të tjera për Policinë e Kosovës lidhur me administrimin e parave të imëta.

Njëra nga këto rekomandime është që Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Policisë të sigurohet që parat e imëta, të cilat janë vetëm për shfrytëzim në raste të paparashikueshme dhe në vlerë të vogël, të mos përdorën në raste që mund të siguroheshin mjete përmes procedurave të prokurimit.

“IPK-ja i rekomandon Drejtorit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa që të sigurohet se parat e imëta të shpenzohen për mbulimin e shpenzimeve të paparashikueshme, e assesi për ato që mund të kontraktohen përmes procedurave të prokurimit”, thuhet në raportimin e IPK-së.

Lidhur më këtë rekomandim, në komentin e strukturës policore është thënë se paratë e imëta shfrytëzohen vetëm në raste të kërkesave urgjente.

Sipas këtij komenti, në raste të tilla para se të lëshohen paratë për shfrytëzim, nga ngritësi i kërkesës kërkohen arsye shtesë se pse nuk kanë mundur që t’i parashikojnë këto shpenzime dhe arsye se si këto shpenzime do të ndihmojnë në realizimin e misionit, qëllimeve dhe objektivave të Policisë.

Tutje në koment tregohet dhe se zgjedhje e vetme për raste të tilla është që të hapen byfe në të gjitha rajonet e Policisë.

“Edhe pse janë iniciuar kërkesa për hapje të byfeve në të gjitha rajonet, nuk kemi pasur ofertues të përgjegjshëm”, është thënë në pjesën e komenteve në raportin e IPK-së.

Një problem tjetër që është vërejtur gjatë inspektimit të IPK-së është edhe çështja e kërkesave për shfrytëzim të parave të imëta.

Ky rekomandim iu është drejtuar ngritësve të kërkesave për shfrytëzim të parave të imëta.

“IPK-ja u rekomandon ngritësve të kërkesave për parave të imëta, zyrtarit të parave të imëta dhe mbajtësve të parave të imëta që të kujdesen që blerjet e artikujve të realizohen vetëm pasi të jenë autorizuar e aprovuar kërkesat e tyre, si dhe të jenë siguruar parat e imëta nga Fondi”, thuhet në raportin e IPK-së.

Mirëpo, sipas komentit që e kanë thënë organet përgjegjëse lidhur me këtë çështje, një gjë e tillë ndodhë pasi ka raste të natyrës urgjente dhe me qëllim të reduktimit të dëmeve të mundshme.

“Raste të tilla ndodhin vetëm duke vlerësuar situatën, rrethanat dhe pasojat e riskut të cilat mund të rezultojnë me humbje, dëme apo efekte të padëshirueshme si pasojë e mos realizimit të tyre”, është thënë në pjesën e komenteve në raportin e IPK-së.

Tutje është thënë se kërkesa të tillë janë të lidhura me riparimin e veturave, prishje të pajisjeve elektrike, riparimi i sistemit të hidrosanitarisë, dhomat e dëshmive e raste të tjera.

Exit mobile version