Telegrafi

Zbulohet marrëveshja personale City-Messi, ylli argjentinas pretendon të transferohet falas dhe të fitojë për vete 750 milionë euro

Lionel Messi është i vendosur të largohet nga Barcelona gjatë afatit kalimtar veror.

Ylli argjentinas ka dërguar një kërkesë në klub për tu larguar si futbollist i lirë, pasi ai është i revoltuar me drejtuesit e klubit.

Gjithsesi Barcelona i ka konfirmuar se për ta lejuar largimin e tij duhet të paguhet klauzola prej 700 milionë eurove.

Edhe La Liga i ka dalë në mbrojtje Barcelonës duke lëshuar një komunikatë për media ku pretendojnë se Messi ka klauzolë largimi.

Por sipas asaj që kanë raportuar mediat e besueshme evropiane si ‘Onda Cero, ‘L’Equipe’ e ‘TyC Sports’, Messi do të largohet si futbollist i lirë nga Barcelona këtë verë.

Madje këto media kanë raportuar se argjentinasi tanimë ka arritur marrëveshje me Manchester Cityn për një kontratë pesë vjeçare.

Bëhet fjalë për tri vite të kaluara te Manchester City, ndërsa dy vitet e fundit të karrierës t’i përfundojë në MLS te klubi tjetër i City Football Group, New York City.

Messi do të fitojë një pagë vjetore prej 100 milionë eurove bruto në sezon që e bënë atë futbollistin më të paguar në botë.

Përveç kësaj argjentinasi do të marrë një pagesë në dorë prej 250 milionë eurove që po i bashkohet Cityt si futbollist i lirë.

Edhe kjo pagesë që zakonisht i jepet lojtarëve si shpërblim që transferohen të lirë është një shumë rekorde, pasi deri më tani asnjë futbollist nuk e ka marrë një shpërblim të tillë.

33-vjeçari është i vendosur të ribashkohet me Pep Guardiolën, pasi synimi i tij është të fitoj edhe dy herë ‘Topin e Artë’. /Telegrafi/