Futbolli në Angli është ndalur më 13 mars shkaku i pandemisë Covid-19.
Disa nga lojtarët e Ligës Premier ishin infektuar me coronavirusin, ndërsa të njëjtin fat e kishte edhe trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 ditë nga ndalimi i futbollit, ende nuk ka shenja se do të rifillojë elita e futbollit anglez.
Por ka qenë gazeta e madhe angleze The Times që ka zbuluar gjithçka sa i përket rifillimit të Ligës Premier.
Rifillimi i kampionatit pritet të ndodhë të premten më 8 qershor, derisa do të ketë nga tri ndeshje në javë.
Përfundimi i kampionatit është i paraparë të ndodhë më 27 korrik.
Ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve, ndërsa futbollistët do të kenë kontrolle të mëdha.
Në stadium do të lejohen të jenë prezent vetëm 400 persona, përfshirë pjesëtarët e dy klubeve, drejtuesit si dhe mediat.
Skuadrat do të kenë më pak se një muaj pushim për ta nisur edicionin e ri 2020/2021.
Edicioni i ri është planifikuar të fillojë me 22 gusht, por për këtë datë mund të ketë edhe ndryshime. /Telegrafi/