Prokuroria në Sllavonski Brod të Kroacisë, ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi gjatë vitit të kaluar në autostradën A3, ku si pasojë humbën jetën 10 mërgimtarë nga Kosova, shkruan Index.hr.
“Mbi 52-vjeçarin rëndon aktakuza se më 25 korrik të vitit të kaluar rreth orës 6:15 të mëngjesit, derisa ishte prapa timonit të autobusit të markës Setra me targa të Kosovës, duke besuar në mënyrë të pakujdesshme nuk do të rrezikonte, kishte kthyer kokën duke shikuar nga pjesa e pasme e autobusit ku kishte dëgjuar zhurmë, kështu nuk ishte në gjendje të përcillte situatën në trafik para vetes drejtimin e autobusit – ku nuk vërejti se autobusi kishte dalë në korsinë për ndalesa emergjente, dhe më pas në pjesën jugore të rrugës goditi një tabelë me pjesën e përparme të mjetit”, thuhet në raport, transmeton Telegrafi.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ai akuzohet se ishte kthyer majtas duke frenuar dhe shkaktuar një rrëshqitje ku si pasojë erdhi derisa të rrokullisja e autobusit, ku humbën jetën dhjetë persona dhe 44 tjerë u lënduan.
Kujtojmë që aksidenti i rëndë kishte ndodhur gjatë 25 korrikut të vitit të kaluar në autostradën A3. Fillimisht besohej se shoferin e autobusit e kishte zënë gjumi prapa timonit, por një gjë të tillë e kishte demantuar avokati i tij mbrojtës. /Telegrafi/