Kosovës duket se i është vendosur një kusht i ri për të avancuar në procesin e anëtarësimit të Këshillin e Evropës.
Po bëhen gati dy vite që Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Që nga ajo kohë janë mbajtur disa sesione të Asamblesë Parlamentare por që nuk është vendosur në shqyrtim aplikimi i Kosovës.
Mirëpo prilli të jetë vendimtarë për të ardhmen e këtij aplikacioni të Kosovës.
Telegrafi mëson nga burime brenda institucioneve të Kosovës se një ndër kushtet kryesore për t’u marrë për bazë aplikimi i Kosovës është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
Deri më tani si Komuna e Deçanit ashtu edhe Qeveria e Kosovës kanë refuzuar të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.
Qeveria e cila ka kundërshtuar hapur këtë vendim sipas burimeve të Telegrafit tashmë “topin” e ka hedhur te Komuna e Deçanit.
Ky po shihet si “kompromis” i domosdoshëm për të marrë mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Mësohet se kushtet tjera Kosova i ka të plotësuara dhe nuk do të ketë pengesa për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për fatin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Zyrtarët lokal dhe eksponent të qeverisë përsëritën në disa raste se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vitit 2016, legalizoi një vendim të vitit 1997 të diktatorit Sllobodan Millosheviq, përmes të cilit “toka iu dhurua Manastirit”.
Komuna e Deçanit pretendon se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.
Mirëpo ambasadori i Francës në Kosovë në një intervistë për Telegrafin ka thënë se edhe çështja e dinarit do të jetë kushte për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
“Rregullorja e BQK-së është një çështje kyçe lidhur me kërkesat për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian”, kishte deklaruar Guerot./Telegrafi/