Nisja e zbatimit të Marrëveshjes së reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë, protesta e fermerëve para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për kriteret e thirrjes për subvencionimin e tyre, ishin disa ngjarjet kryesore që e karakterizuan javën e kaluar në ekonomi.
Duke filluar nga dita e hënë, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të nis zbatimin e Marrëveshjes së reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë të nënshkruar në Bruksel.
Sipas vendimit të publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thuhet se, obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës.
Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit. Po ashtu, në vendim thuhet se vlefshmëria e këtyre targave të përkohshme është 60 ditë dhe se çmimi për to është 5 euro.
Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre “RKS” (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.
Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat “KS” (Kosovë) ose “RKS” (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Përfaqësues të Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës kanë protestuar me një nunër të madh të traktorëve para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kjo protestë sipas tyre është se janë të pakënaqur me kriteret e thirrjes së MBPZHR-së për përkrahjen e fermerëve. Ata thonë se këto kritere janë diskriminuese për bujqit, duke kërkuar që këto të anulohen.
“Këto kritere janë diskriminuese dhe zhgënjyese për bujqit e Kosovës. Është e habitshme se pse dikush po mundohet t’i shkel dhe zhgënjej bujqit. Shumë prej tyre e ka shuar veprimtarinë e tyre për shkak të perspektivës, pikërisht për shkak të kritereve dhe keqmenaxhimit të drejtave të bujqve. Bujqit i kanë dy kërkesa kryesore. E para është se për vitin 2020-2021 të anulohet ky vendim për thirrje për aplikim për këtë vit prodhues dhe e dyta, të kthejnë kriteret me të vjetrën për të mundur të përfitojnë, përndryshe 80 për qind e bujqve do të mbesin pa u subvencionuar për shkak të këtyre kritereve”, ka thonë Tahir Tahiri nga kjo Sindikatë.
Ditë më parë, Ministra e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kishte hapur periudhën e aplikimit për subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore.
Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2021, MBPZHR-ja ka ndarë një buxhet prej 21 milionë eurove dhe afati për aplikim për këtë program fillon nga sot dhe përfundon më 28 shtator 2021.
MBPZHR thotë se ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elb, thekër, tërshërë, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi qumështore, për bletë, pula vojse, thëllëza, për dosa për riprodhim, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për sektorin e akuakulturës, për viça për majmëri.
Menjëherë pas kësaj proteste, MBPZHR-ja kishte njoftuar se gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve për vitin 2021 i ka përfshirë në grupet punuese edhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë.
“Duke pasur parasysh që kërkesat e fermerëve dhe përfaqësuesve të tyre adresohen çdo vit gjatë procedurave të hartimit të programeve mbështetëse, MBPZHR-ja bën shqyrtimin dhe më pastaj edhe inkorporimin e tyre në programet dhe politikat e saj, konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. MBPZHR-ja gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve për vitin 2021, i ka përfshirë në grupet punuese edhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë”, thuhet në reagimin e MBPZHR-së, përcjell Telegrafi.
Njëra ndër temat që ka nxitur reagime të shumta në vend këto ditë dhe polemika mes zyrtarëve qeveritarë edhe atyre në opozitë është përfshirja e Kosovës në tubacionin e gazit nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, projekt ky i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky debat në publik por pa shumë informacione zyrtare institucionale se çfarë ka qenë sugjerimi i Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka bërë që të ketë reagime vendore nga pozita e opozita, nga presidentja e vendit si dhe vetë SHBA-ja.
SHBA-ja në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden ka marr vendim që t’i ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të agjencisë së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit.
“MCC dhe Qeveria e Kosovës përditësuan dhe riafirmuan qasjen në energji të sigurt dhe të përballueshme si një pengesë për rritjen ekonomike të vendit. Gjatë dy viteve të fundit, MCC ka punuar me Qeverinë dhe akterët e tjerë për të zhvilluar një program të fokusuar në sektorin e energjisë të Kosovës. MCC dhe Qeveria përfunduan studimet e fizibilitetit në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit energjetik dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, thuhet në vendimin e MCC-së, përcjell Telegrafi.
Pas këtij vendimi, Kosova aktualisht është duke negociuar me Qeverinë greke dhe autoritetet amerikane për shfrytëzimin e gazit.
Sistemi i Pavarur i Gazit Natyror (INGS) është duke zhvilluar projektin për ndërtimin e terminal të gazit LNG, afërsisht 17.6 kilometra në jug-perëndim të Alexandroupolis. Projekti INGS pritet të përmirësojë sigurinë e energjisë së vendeve të rajonit dhe të promovojë zhvillimin e një qendre konkurruese të tregtimit të gazit.
Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka hapur aplikimin për subvencionimin e pagës për të gjithë ata punëtorë që kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë.
“Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike COVID-19, si dhe vendimet e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, gjegjësisht vendimet për subvencionim sipas masave 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar si dhe 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave, Administrata Tatimore e Kosovës, ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa”, thuhet në njoftim.
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë të deklaruar në ATK për periudhat nga muaji korrik 2021 e tutje. Aplikimi bëhet përmes ueb-faqes së ATK-së dhe është i hapur deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi ka paralajmëruar se nga dita e hënë [27 shtator], të gjithë personat që do të hyjnë brenda hapësirave të lokaleve do të zbatohen masat e reja kufizuese.
Sipas Vitisë, ata që frekuentojnë lokalet duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit ose test PCR apo serologjik.
“Në masat që jemi duke hartuar tani edhe në gastronomi të aplikohet nga data 27 shtator të aplikohen masa kufizuese vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR dhe me test serologjik. Shoqata e Gastronomeve është treguar bashkëpunuese në këtë drejtim. Me këto shifra, një masë e tillë nuk është më pengesë as për sektorin e gastronomisë”, kishte thënë Vitia, përcjell Telegrafi.
Për sa i përket lajmeve ndërkombëtare, Banka Popullore e Kinës ka njoftuar se të gjitha transaksionet që lidhen me kriptovalutat janë të ndaluara.
Gjithashtu është bërë e ditur se aktivitetet e paligjshme financiare që lidhen me kriptovalutat do të ndëshkohen. /Telegrafi/