Pesë ditë pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas në shtëpinë e tij, është bërë e mundur zbardhja e skemës së krimit, si dhe është rënë në gjurmët e autorit të dyshuar.
A2 CNN mëson se ka rënë në pranga I. B., alias I. B., alias I. M., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, e ndërsa është ndaluar gjithashtu edhe bashkëpunëtori i tij. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes, për shkak se Bejtja ka qenë një personazh i njohur i botës së krimit.
Skema, si u krye vrasja e Gentjan Bejtja
Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor, autorët janë afruar te banesa e Gentjan Bejtjas me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës dhe janë kthyer majtas. Pak metra më tutje, në fshatin Hasan kanë djegur automjetin “Land Rover Discover”.
Për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, kanë marrë një tjetër makinë, tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Si u ra në gjurmët e autorit?
Ka qenë kjo makinë, pra “Golf” me targë AB960GG që ka ndihmuar grupin hetimor për të shkuar në gjurmët e autorit të dyshuar. Nga kërkimet ka rezultuar se “Golfi” është në pronësi të E. H., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Mirëpo, është përdorur edhe I. B., alias I. B., alias I. M., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, autori i dyshuar. 4 ditë pas vrasjes, policia ka bërë ndalimin e pronarit të makinës dhe dëshmia e tij mesa duket ka qenë ndihmesë për policinë duke shkuar drejt autorit të dyshuar dhe kanë bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit kryesor.
Armë, municion luftarak, ID false në shtëpinë e autorit të dyshuar
Gjatë kontrollit të banesës autorit të dyshuar iu gjetën dhe armë, municion luftarak, radiomarrëse, si dhe pasaportë dhe kartë identiteti të falsifikuar në emër të një shtetasi kosovar.
“U gjetën një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG”, thuhet në njoftim të policisë.
Akuzat ndaj të arrestuarve, hetimet vijojnë! Dyshohet për më shumë se 1 autor
Ndonëse I. B., alias I. B., alias I. M., është një nga autorët e dyshuar, policia nuk e ka akuzuar atë për vrasje, por vetëm për 2 vepra penale atë të “Mbajtes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”. Akuza më e rëndë është për bashkëpunëtorin e tij. 29-vjeçari E.H. akuzohet për “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Hetimet vijojnë pasi dyshohet se ka qenë më shumë se 1 autor.