Kryeministri Zoran Zaev në vend të aeroportit të Shkupit, për shkak të kushteve të këqija klimatike do të aterojë në aeroportin e Sofjes. Sipas informacioneve, avioni qeverisës për më shumë se 30 minuta është rrotulluar rreth Shkupit, me çka është vendosur që të aterojë në kryeqytetin e Bullgarisë.
Sot në mbrëmje është caktuar që të mbahet Këshilli qendror i LSDM-së. Fillimi i mbledhjes është caktuar për në orën 19:00 dhe sipas burimeve të partisë, ajo do të fillojë pa praninë e kryeministrit.
Siç njoftojnë nga LSDM, në agjendën e takimit ka shumë pika që lidhen me procesin e reformave dhe integrimeve dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, situatën politike në vend dhe çështje të tjera të brendshme.
Po ashtu pritet që Këshilli Qendror të marrë vendime lidhur me fillimin e procedurës brenda partisë për zgjedhjen e kandidatit për kryetar të shtetit, si dhe për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie në të tri komunat për të cilat do të mbahen zgjedhjet lokale të këtij viti./Telegrafi/