Sot u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku qytetarët zgjodhën kryetarin e shtetit, në mes Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovskit, njofton Telegrafi Maqedoni.
Censusi i duhur prej 40% pjesmarrje në zgjedhje nga 1,808,131 votues u arrit dhe kjo tregon se zgjedhja e presidentit është legjitime.
Kryeministri i Maqedonisë dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev para anëtarësisë dhe qytetarëve ka folur për procesin zgjedhor dhe fitoren e Stevo Pendarovskit.
“Urime dhe faleminderit, të nderuar qytetarë. Kemi zgjedhje të suksesshme dhe demoratike. Kemi kryetar shteti. Doli në pah shumica e qytetarëve për zgjedhje korrekte dhe demokratike, vazhdojmë së bashku përpara. Rruga jonë është e shtruar me sukses dhe me siguri vazhdojmë përpara për të përmbushur qëllimet strategjike. Kjo fitore është e qytetarëve dhe republikës. Së bashku treguam se kemi shtet dhe popull krenar. Prej sot, askush nuk mund të na dal para në rrugën e perspektivave. Stevo Pendarovski është fitues nga numërimi i votave, me dallim prej 55 mijë vota. Sonte kemi fituar edhe në komunë e Ohrit. Kandidati jonë fitoi bindshëm atje. Edhe në Novo Sellë kemi fituar. Të gjithëve, bravo. Këto zgjedhje tregojnë se rritemi së bashku” tha mes tjerash Zaev.
Procesi zgjedhor sipas gjithë palëve vëzhguese ishte korrekt, demokratik dhe i qetë. Këto janë zgjedhjet e pesta presidenciale në Maqedoni dhe të parat pas ndryshimit të emrit të shtetit. Kryetarë të mëhershëm ishin, Kiro Gligorov, Boris Trajkovski, Branko Crvenkovski dhe Gjorge Ivanov. /Telegrafi/