Pas pesë muajsh pritje për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re në Maqedoni, kryetari Gjorge Ivanov, dje e mandatoi Zoran Zaevin si mandatarin dhe pretendin kryesor për kryeministër për qeverinë e ardhshme.
Menjëherë pas marrjes së mandatit, Zaev deklaroi se në afat sa më të shkurtë do të tentojë ta formojë kabinetin qeveritar. Ai për median tha se qeveria e re do të jetë proevropiane dhe do të sigurojë jetë cilësore për të gjithë qytetarët dhe respektim të multietnicitetit dhe Marrëveshjes së Ohrit.
Në ditët në vijim, priten takime mes LSDM-së dhe partive tjera që përbëjnë shumicë parlamentare, për ndarjen e digasterëve, me qëllim që qeveria e re të formohet në afat kushtetues prej 20 ditëve. Mirëpo, a priten vështirësi në formimin e qeverisë sëre, eventualisht ndonjë dështim nga ana e Zaevit, duke marrë parasysh kërkesat e kooalicionit të shumicës parlamentare!
”Formimi i kësaj qeverië do të jetë proces i vështirë, për arsye se sjellja e partive politike është e tillë. Disa e japin garancën, duan të participojnë e disa jo. Puna e parë është se asnjë premtim i Zaevit apo të partive shqiptare, si duket nuk do të mund të realizohet në pretekst të garancave që do të dorëzohen, siç është përdorimi i gjuhës, decentralizimi dhe kërkesave tjera. Ky është problem madhor me të cilën do të ballafaqohet ky kooalicion.
Kam drojë sesi do të realizohen, sepse Zaevi do të gjendet para një sfide si të gjej mundësi të realizojë këto kërkesa dhe të anashkalohet apo të jetë konform Platformës. Partitë politike shqiptare duhet të gjejnë mundësinë si ta prezantojnë dhe si t’i realizojnë këto premtime, duke dëshmuar se janë konform kushtetutës. Ky është telashi i madh me të cilin do të ballafaqohet kjo qeveri. Nga ana tjetër, probleme serioze do të ketë të bëjë reforma. Reformat do të pengohen nga opozita dhe sistemet ligjore, përfshirë këtu edhe kushtetutën, siç jane ndryshimet ne Prokurori, Gjyqësorin”, vlerëson ish-politikani Alajdin Demiri për Telegrafi Maqedoni.
Hendeku më i vështirë sipas Demirit do të jetë ekonomia. Për këtë përbërje qeverisëse, ai mendon se do të jëtë e vështirië dhe se kjo qeveri nuk do të jetë qeveri afatgjate, ndoshta do të jetë një apo dy vite që të sigurojë kushte për reforma normale dhe për zgjedhje më normale se këto.
Opinionisti politik Suad Misini për Telegrafi Maqedoni thotë se obstruksion të vetëm Zaevit mund t’i bëjë BDI-ja, nëse nuk merr ndonjë pozicion të caktuar në qeverinë e re.
”Mossuksesi i mandatarit të ri për të formuar qeveri është i mundur vetëm në rast të obstruksionit nga ana e BDI-së. Kjo në aspektin procedural. Nga ana tjetër, nëse Gjykata Kushtetuese vendos se zgjedhja e Talat Xhaferi është jokushtetues, ajo do të hapte qarkore të re të krizës, sepse para zgjedhjes së tij ndodhi konstituimi i qeverisë së tij, ndërsa edhe qeveria e re është në pritje. Ajo është hapi që qartazi PDUKM do të tentojë ta ndërmerr. Gjithsesi, ata kanë edhe mjete tjera për tejkalimin e kësaj.
BDI mund ta vështirësojë formimin e qeverisë nëse nuk do të merr pozicione të caktuara në qeverinë e re, çka është më e lehtë menaxhimi dhe marrëveshja. Pjesa më e vështirë janë garancitë për për mospërndjekje të mundshme të atyre çka më herët kanë kryer vepra penale, si dhe ata që ishin lëndë ndjekëse nga ana e PSP-së. Kjo është një nga rreziqet kyçe në formimin e qeverisë së re, qoftë në aspektin e obstruksioneve apo të garancive, të cilët Zaev nuk guxon t’i jep”.
Misini shton se në të njëjtin kontekst, unë nuk do t’i nënvlerësoja kapacitetet destruktive të PDUKM që ende të bëjnë provokime në vendosjen e qeverisë së re.
Nga ana tjetër politikologu Xhenis Sulimani thotë se sfida kryesore e LSDM-së është nëse ajo nuk do të përsërit diçka nga regjimi i mëparshëm.
”Nuk besoj se Zoran Zaev mund të ketë vështirësi në formimin e qeverisë së re, sepse dy vitet e fundit LSDM ka vepruar si “qeveri nën hije”. Ai ishte aktiv gjatë gjithë qeverisjes së Nikolla Gruevskit me shokë dhe ka pasur çfarë të mësojë. Sfida e tij kryesore është nëse do të arrijë të qëndrojë në maksimën e tij “se gjithcka e keqe nga regjimi i mëparshëm, kurrë nuk do të përsëritet”. Përvoja nga regjimi i kaluar duhet të merret si leksion për ta aprovuar nga sot e tutje. Nëse Zaev nuk do që ekipi i tij ta përsëris keqqeverisjen e mëparshme duhet rreth vetes të mbledhë kuadro cilësor.
Dhënia e nënshkrimeve nga ana e partive shqiptare, që para marrjes së mandatit është njëfar garance se kjo shumicë parlamentare veçmë e ka përpiluar strukturën, tani pret vetëm dritën jeshile, zyrtarisht të nis me punë”, thekson Sulimani.
Bojan Mariçiq nga organizata joqeveritare “Qendra për arsim evropian”, thotë se vështirësit do të shfaqen në marrjen e funksioneve në qeverinë e re.
‘Të them të drejtën nuk pres pengesa të mëtejshme pranë zgjedhjes së qeverisë dhe pres marrëveshje të shpejtë për qeverinë e re në afat kushtetues prej 20 ditëve. Vështirësitë do të jenë në marrjen e funksioneve dhe përballje me problemet në të gjitha digasterët’, deklarohet Mariçiq. /Telegrafi/