“Ne kemi fituar titullin e kampionit në Evropë dhe duhet të sillemi në mënyrë evropiane”.
Këtë e ka thënë kryeministri i vendit Zoran Zaev gjatë vizitës së sotme në Bruksel, duke folur për thirrjet e mbrëmshme nacionaliste të tifogrupit “Komitët”, të cilët ofenduan shqiptarët, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“E di se bëhet fjalë për individë. Kam pasur mundësinë të takojë hendbollistët e Vardarit, trajnerin dhe kanë premtuar se do të japin të drejtë që të gjithë të gëzohen për titullin evropian”, tha Zaev.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme tifozët e Vardarit “Komitët” në festën e titullit të kampionit evropian, kanë lëshuar thirrje kundër shqiptarëve.
Nga MPB kanë njoftuar se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin publik dhe paqen.
Gjithashtu nga MPB thanë do të sanksionohet në mënyrë rigoroze çdo përpjekje për të shkaktuar aksidente, siç është bërë në festimet e mëparshme./Telegrafi/