Kryeministri Zoran Zaev sot është pyetur rreth filmit kontestues që ditë më parë u publikua në opinion e që tregonte për luftën e 2001 në Maqedoni, ndërsa Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e identifikonte si terroriste dhe dhunuese.
Zoran Zaev tha se ka kërkuar nga ministri i Kulturës dhe drejtori i Agjencisë për Film që të ndalojnë aktivitetet e tilla, me të cilat sipas tij, promovohet gjuha e urrejtjes, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk mund ta kthejmë prapa, por i kam dhënë detyrë ministrit të Kulturës të bisedojë me drejtorin e Agjencisë për Film dhe të parandalojnë dhe gjejnë rrugë ligjore për gjitha aktivitetet për promovimin e veprave të tilla”, tha Zaev.
Ai shtoi se ajo që është financuar nga Agjencia për Film në vitin 2015 është me prapavijë politike dhe dënoi gjithe mesazhet që kanë gjuhë të urrejtjes.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme edhe ministri i Kulturës Asaf Ademi në konferencë për shtyp dënoi këtë film, duke thënë se ai nuk ka lidhje me Ministrinë e Kulturës dhe se do të urdhërojë që të kryhen hetime inspektoriale për atë film./Telegrafi/