Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, dhe ai i Kosovës Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare, në konferencë për shtyp thanë se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore.
Kryeministri Zoran Zaev, në deklaratën e tij tha se në mbledhjen e sotme janë nënshkruar 11 marrëveshje në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Me vite të tëra vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore. Edhe pse seancën e përbashkët e realizuam në kushte të veçanta, është shprehje e vullnetit tonë që t’i thellojmë marrëdhëniet dypalëshe. Na lidhin shumë interesa ekonomik, tregtar dhe fusha tjera”.
“Kemi nënshkruar 11 marrëveshje në seancën e sotme, në mesin e të cilave për lidhje infrastrukturore në pikën kufitare “Bllacë”, studim fizibiliteti për rrugën Tetovë – Prizren, si dhe marrëveshje për bashkëpunim në mes qendrave turistike Kodra e Diellit dhe Brezovica. Besoj se në periudhën e ardhshme, ministrat e të dy qeverive do të angazhohen për të realizuar detyrat e sotme”, tha Zaev.
Ai gjithashtu tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut e përkrah Kosovën për çështjen e liberalizimit të vizave.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pasi shprehu ngushëllime për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës, tha se përveç bashkëpunimit ekonomik, të dy vendet duhet të jenë bashkë edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar./Telegrafi/