Kryeministri Zoran Zaev sot para mediave tha se kryetari i shtetit Gjorge Ivanov s’do të ketë kohë për t’i amnistuar të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit. Kjo deklaratë vjen pasi që para një jave nga kabineti i kryetarit vërtetuan se avokatët e të dënuarve kanë dërguar kërkesë për amnisti.
“Neni 11 i Ligjit për falje nuk ekziston, procedurat që udhëhiqen nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë nuk mund të udhëhiqen gjatë kohës së zgjedhjeve, ato mund të arrijnë te Ivanov nga 7 maji, ndërsa mandati i tij skadon më 12 maj”, tha Zaev, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai shtoi se nuk pret një gjë të tillë të bëjë as kandidatja për kryetare të shtetit e përkrahur nga OBRM-PDUKM, Gordana Siljanovska Davkova, nëse fiton në zgjedhjet presidenciale, për shkak se, siç tha Zaev, ajo ka premtuar se nuk do të amnistojë asnjë.
Për fatin e PSP-së thotë se lëndët janë “të gjalla” dhe se janë ndarë nëpër gjykatës dhe prokurorë. Në takimin e fundit me opozitën maqedonase për Ligjin për prokurori publike është dakorduar që mbledhjet të vazhdojnë.
“‘Bombat’ si dëshmi janë parashikuar në vet ligjin, por duhet të ketë dëshmi materiale. Bisedimet vazhdojnë, por duhet të ketë zgjidhje nëse mendohet për shtetin. Ai ligj është i rëndësishëm për reformat gjyqësore dhe integrimin evropian”, tha Zaev./Telegrafi/