Site icon Telegrafi

Zaev: Ekstraktet e para të kanabisit janë gati, pritet eksporti i tyre

Kryeministri Zoran Zaev sot duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se në Maqedoni vetëm se janë bërë ekstraktet e para të kanabisit për qëllime mjekësore dhe se pret që eksporti i parë të bëhet pas të hyjë në fuqi liberalizimi në vend për këtë veprimtari, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Shumë kompani të huaja kanë interes të madh që të investojnë në këtë fushë dhe shfrytëzimit të kanabisit. Vetëm se ka hyrë një kompani nga Kanada, ka edhe nga Holanda. Kjo është një politikë që e ka filluar qeveria e kaluar dhe ne këtë si hap e kemi përshëndetur”, tha Zaev.

Kryeministri kujtoi se tregu me prodhimtarit e kanabisit vlen 500 miliardë euro në botë, ndërsa në të ardhme kjo pritet që të rritet edhe më shumë.

Zaev gjithashtu njoftoi se në fund të kësaj jave do të mund të takohet edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski ku do të bisedojnë për zgjedhjet presidenciale.

“Puna ime si kryetar i Qeverisë, është që të bisedojë me liderin e opozitës për atë që të gjithë kufijtë që ne duhet t’i sigurojmë për zgjedhje të sigurta dhe demokratike, dhe t’i largojmë të gjitha rezervat të cilat i kemi, sepse Maqedonia e Veriut duhet të ketë zgjedhje të pastra dhe kjo është obligim i të gjithëve. Do të bisedojmë për reformat ligjore, por as unë dhe as Mickoski nuk jemi ekspert, duhet persona ekspert nga Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë që të ulen në tavolinë”, tha Zaev./Telegrafi/

Exit mobile version