Kryetarët e dy partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, kërkojnë që të shtyhen zgjedhjet e planifikuara për më 12 prill.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, në konferencë për shtyp tha se nuk është koha për politikë, duke shtuar se nuk duhet të lejohet që Maqedonia e Veriut të shndërrohet si Wuhani në Kinë ose Italia, për shkak të përhapjes së coronavirusit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Së pari shëndet, pastaj zgjedhje”, tha Zaev, i cili shtoi se këtë do ta kërkojë edhe në takimin e liderëve.
Edhe kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, ka kërkuar të shtyhen zgjedhjet. Ai përmes një postimi në Facebook, thotë se është e nevojshme sjellje e përgjegjshme.
“Nuk ka asnjë arsyetim, njerëzor, logjik, apo pragmatik që zgjedhjet të mos shtyhen. Lufta për pushtet, mbi jetët e qytetarëve është e papranueshme”, ka shkruar Mickoski.
Ndryshe, sot në takimin e Këshillit të Sigurisë që do të mbahet tek presidenti Stevo Pendravoski, pritet të vendoset edhe për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve./Telegrafi/