Dy kryeministrat e Maqedonisë dhe Serbisë, Zoran Zaev dhe Ana Brnabiq, sot janë takuar në Shkup për një bashkëbisedim bilateral ku kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje për bashkëpunimet ndërkufitare dhe lehtësimet që këto dy shtete i ofrojnë kompanive dhe qytetarëve, por në konferencën për shtyp janë pyetur edhe për marrëdhëniet e këtyre dy shteteve dhe për marrëdhëniet me Kosovën si shtet fqinj, njofton Telegrafi Maqedoni
Në lidhje me taksën 100% e vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnjen dhe Herzegovinën, Brnabiq ka thënë se ajo nuk duhet të jetë pasi ka dëmtuar edhe marrëdhënien e vetme mes dy shteteve. Gjithashtu, sipas Brnabiq, taksa ka ndikuar edhe ekonomikisht në shtetin që ajo është kryeministre.
Ndërkohë për këtë temë ka folur edhe Zaev i cili ka thënë se një lëvizje e tillë politike është e papranueshme pasi shtetet fqinje duhet çdo herë të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ai gjithashtu ka shtuar se përshëndet takimet bilaterale mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur dialogun mes dy shteteve edhe pse i njejti tanimë nuk është aktiv. “Marrëveshjet janë të rënda por duhet të gjetur gjuhë e përbashkët” ka shtuar Zaev, njofton Telegrafi Maqedoni.
Për çështjen e mos ekstradimit të Tomor Morinës nga Maqedonia për në Serbi, Brnabiq ka thënë se ky është vendim politik shtetëror dhe se nuk kanë folur me Zaevin pasi vlerëson se politikanët nuk mund të përzihen në punët e pushtetit gjyqësor.
Zaev ka thënë se nuk ka mundur e as nuk ka dashur të ndikojë në lirimin apo mos ekstradimin e Morinës në Serbi. /Telegrafi/