Site icon Telegrafi

Zaev: Me Blerim Bexhetin kam biseduar për shumë gjëra

Kryeministri Zoran Zaev, përmes rrjetit social në ‘Facebook’ shkroi se ai bisedon me të gjithë kryetarët e komunave kur bëhet fjalë për probleme të komunave dhe probleme të posaçme që shqetësojnë qytetarët e ku Qeveria mund të ndihmojë.

“Me kryetarin e Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti bisedova për problemin e ndërtimeve pa leje në Matkë. Kërkova të veprohet sipas ligjit dhe nëpër institucionet e sistemit. Këtë e kërkojnë edhe qytetarët dhe këtë do ta bëjmë për shkak se kjo është punë e institucioneve publike. Puna e kryetarit të komunës është që të punojë në interes të qytetarëve dhe jo të mbrojë ndërtime pa leje.Obligim i secilit është që të punojë dhe veprojë sipas ligjit”, shkruan Zaev duke shtuar se për punën e Komisionit Anti-korrupsion gjykojnë qytetarët dhe jo ata ndaj të cilëve është hapur lëndë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Zaev sqaron se me Bexhetin ka biseduar për shumë çështje siç janë marrja e datës së bisedimeve me BE-në, për Ligjin për Prokurori Publike, për ligjet e miratuara për gjykata dhe këshill gjyqësor, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit në institucionet gjyqësore të zgjedhur përmes Kuvendit.

Lexo po ashtu Bexheti: Zaev më ka kërkuar të ndikoj tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor, për ndryshimin e një kryetari të gjykatës

“Edhe sot e përsëris qëndrimin se shtetin e së drejtës mund ta kemi vetëm nëse mundësojmë që në mënyrë të lirshme dhe të pavarur të vendosin të gjithë pjesëmarrësit në gjyqësi, pa bë presione në vendimet e tyre, por natyrisht edhe të mos lejohet të bëhet presion për anulim të vendimeve. Bexheti, politikanët dhe qytetarët duet të dinë se anulimi i vazhdueshëm i vendimeve të këshillit gjyqësor në Gjykatën e Lartë, tek gjykatat e apelit dhe themelore në shtet janë një ndër arsyet serioze për kthimin e ngadaltë të ligjit dhe ndarjes së drejtësisë”, shkruan Zaev.

Ai në fund shkruan se me Bexhetin ka biseduar edhe për spekulimet në opinion se dikush e mbron Jovo Vangellovskin në Këshillin Gjyqësor dhe se i ka interesuar nëse ka ndonjë të vërtetë këtu./Telegrafi/

Exit mobile version