Një tjetër finale dhe një tjetër trofe i fituar. Klubi basketbollistik nga Prishtina mori edhe një Kupë të Kosovës në sirtarin e vet.
Në një atmosferë mahnitëse në palestrën “Mizahir Isma”, Z Mobile Prishtina triumfoi me epërsi të lartë kundër nikoqirit Rahovecit (96-60).
Dhe kështu, kryeqytetasit e fituan për të katërtën herë radhazi Kupën e Kosovës, derisa mbajnë rekordin me më së shumti kupa të fituara.
Këtë sukses, klubi e ka ndarë me qytetarët e Prishtinës e në veçanti me tifozët që e mbështesin gjithmonë – Plisat.
“Kryeqytetit ia shtuam edhe një Kupë. Urime Prishtinë Kupa e Kosovës 2019! Faleminderit Plisa, sepse ju jeni krenaria e kryeqytetit”, shkruan në postimin e bardhekaltërve në Facebook që është shoqëruar me fotografi nga momenti i festës.
Për të arritur në finale, Z Mobile Prishtina fitoi kundër Golden Eagle Yllit (83-77), derisa Rahoveci u tregua më i fortë se Ponte Prizrenin (84-77).
Vlen të theksohet se klubi kryeqytetas është pakonkurrencë edhe në garën për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll, pasi është lider i pakontestueshëm, meqë nga 19 ndeshje i ka regjistruar 19 fitore. /Telegrafi/