Në palestrën “Mizahir Isma” është zhvilluar ndeshja finale e Kupës së Kosovës në basketboll, ndërmjet Rahovecit dhe Z Mobile Prishtinës.
Në një atmosferë mbresëlënëse në palestrën e stërmbushur, basketbollistët në parket kanë dueluar për ta rrëmbyer trofeun e Kupës, të cilin e fitoi Z Mobile Prishtina me rezultat 96-60.
Bardhekaltrit e nisën mirë sfidën që nga çereku i parë, të cilin e fituan me shtatë pikë diferencë (21:14).
Edhe në dhjetëminutëshin e dytë, kryeqytetasit luajtën më mirë (27:18) duke e ngritur epërsinë dhe shkuan në pushim me rezultat 48-32.
Loja më e mirë e Prishtinës vazhdoi edhe në çerekun e tretë (26:19), ashtu që bëhej gjithnjë e më vështirë për nikoqirin që t’i ndryshonte gjërat.
Dominimi i bardhekaltërve vazhdoi edhe në fraksionin e fundit (22:9) dhe në këtë mënyrë fitoi me epërsi prej 36 pikës (96-60).
Me gjithë organizimin fantastik dhe atmosferën në palestrën “Mizahir Isma”, klubi basketbollistik i Rahovecit nuk arriti që t’i gëzohej një triumfi historik, por tashmë kur e ka palestrën do të ketë mundësi të tjera në të ardhmen.
Klubi kryeqytetas, Z Mobile Prishtina, e ka shtuar rekordin e trofeve në Kupën e Kosovës, ndërsa Dardan Berisha u shpall MVP i turneut final. /Telegrafi/