Arsenali me pak më shumë fat do të mund ta përfundonte edicionin 2021/22 në top katërshen e Ligës Premier.
Përkundër që zhvilluan një sezon të madh, në fund të kampionatit djelmoshat e Mikel Artetas humbën pozitën që do t’i rikthente në garën më të madhe evropiane për klube, Ligën e Kampionëve.
Megjithatë trajneri spanjoll nuk është dorëzuar për ta rikthyer Arsenalin në ‘Champions’ dhe po tenton të bëjë transferime të mëdha.
Youri Tielemans dhe Gabriel Jesus janë dy objektivat madhorë të Arsenalit për afatin kalimtar veror.
Mesfushori 25-vjeçar ka pasur një vit mjaftë të mirë me Leicesterin, ku në 46 ndeshje zyrtare ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar në katër të tjerë.
Ndërkohë Gabriel Jesus këtë edicion ka zhvilluar 41 ndeshje zyrtare për Cityn, ku ka shënuar 13 gola e ka asistuar 12 të tjerë.
Topçinjtë janë gati të shpenzojnë vetëm e vetëm t’ia plotësojnë dy dëshirat e mëdha trajnerit të tyre Mikel Arteta.
Për transferimin e dyshes Arsenali do të duhet të shpenzojë rreth 100 milionë euro, pasi Tielemans kushton 45 milionë derisa Jesus 50 sosh.
Megjithatë për klubin londinez nuk do të jetë aspak e lehtë marrja e dy yjeve të cilët kërkohen edhe nga skuadra tjera të mëdha evropiane. /Telegrafi/