Telegrafi

Ymeri: Statusi i Korenicës nuk paraqet qëndrimet e Vetëvendosjes

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit që janë bërë ndaj kandidatit për kryetar të Rahovecit, Visar Korenciës, lidhur me një postim të këtij të fundit për shtetin e Izraelit.

Ymeri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se statusi i Visar Korenicës, nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes, dhe se mospajtimet me politikën e caktuar shtetërore nuk guxojnë të eskalojnë në thirrje për zhdukjen e një shteti.

“Visar Korenica i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! këtë vit me ç‘rast edhe ka kandiduar për kryetar të Rahovecit. Ka kërkuar falje dhe ka thënë që nuk mendon ashtu. Ka theksuar që deklaratën e tij e ka dhënë nga zemërimi momental dhe se ajo nuk paraqet qëndrimin e tij”, ka shkruar Ymeri.

Statusi i plotë i Ymerit:

Statusi i Visar Korenicës i shkruar më parë për Izraelin, as nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, as nuk është i drejtë dhe as i pranueshëm. Ai nuk përkon me konceptin politik të Lëvizjes, ky i fundit i bazuar në parimet e të drejtave universale të barazisë e bashkekzistencës paqësore mes popujve. Mospajtimi me politikën e caktuar shtetërore nuk guxon të eskalojë në thirrje për zhdukjen e një shteti. Secili popull ka të drejtën e tij ta organizojë jetën kolektive në liri e barazi, dhe assesi e asnjëherë duke ia cenuar këto të drejta një populli tjetër.
Visar Korenica i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! këtë vit me ç‘rast edhe ka kandiduar për kryetar të Rahovecit. Ka kërkuar falje dhe ka thënë që nuk mendon ashtu. Ka theksuar që deklaratën e tij e ka dhënë nga zemërimi momental dhe se ajo nuk paraqet qëndrimin e tij.
Kur të zgjidhet në këtë pozitë, ai do të ketë shumë punë për ta drejtuar komunën, për ta përmirësuar përkrahjen për bujqësinë, për të krijuar kushte të nevojshme e të domosdoshme për shëndetësi cilësore, e rend e disiplinë në shkolla. Fusha e politikës së jashtme dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet çështje e institucioneve qendrore, të cilat në dhjetëvjeçarin e fundit kanë kontribuar drejtpërdrejtë në degradimin e tyre, duke u përpjekur njëkohësisht ta kamuflojnë këtë dështim përmes shpifjeve ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! /Telegrafi/