Site icon Telegrafi

Ymeri: Shqiptarët duhet ta kenë një kombëtare; bën krahasim me dy Gjermanitë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka bërë një tjetër postim në rrjetet sociale duke thënë se shqiptarët duhet ta kenë një kombëtare të përbashkët.

“Më mirë një fitore sesa dy barazime. Shqiptarët duhet ta kenë një kombëtare të përbashkët edhe në sport. Ideja provinciale e pavarësisë së Kosovës si pavarësi nga Shqipëria është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Serbisë”.

“Dikur Gjermania lindore fitonte trofe e medalje, shpeshherë edhe më shumë sesa Gjermania perëndimore nëpër garat sportive”.

“Mirëpo, dy Gjermanitë kurrë nuk e braktisën synimin e bashkimit dhe e realizuan atë. Le të mos përpiqemi të bëhemi më të mençur sesa gjermanët”.

“Në futboll ishim bashkë. Dhe bashkë korrnim fitore. Në vend se të bashkohemi aty ku jemi të ndarë, ne po ndahemi aty ku ishim bashkë”, shkruan në postimin e Ymerit në Facebook.

Ky postim vjen pas reagimeve të shumta ndaj postimit të mbrëmshëm, kur ai bënte tifo vetëm për Shqipërinë duke mos e përmendur ndeshjen historike të Kosovës në garat ndërkombëtare.

“Sot Kombëtarja fillon rrugëtimin drejt Botërorit 2018. Kombëtarja e bashkimit, ajo që thyen kufijtë, dinjitozja e fitoreve, ajo që na e dëshmon se dobësinë nuk e kemi as natyrë e as kulturë, por vetëm politikë të dëmshme. Që na e dëshmon se të ndarë as nuk jemi më mirë, e as nuk mund të jemi më mirë. Përpara Shqipëri!”, kishte shkruar ai mbrëmë. /Telegrafi/

Exit mobile version