Analisti politik, Visar Ymeri ka kritikuar kryeministrin aktual Albin Kurti, duke e quajtur atë “njeriun më të gabuar” për kryeministër të ardhshëm në situatën aktuale.
Ymeri ka theksuar se, megjithëse nuk e përjashton mundësinë që Kurti të bëhet kryeministër në të ardhmen, aktualisht ai konsiderohet si më i pabesueshëm nga zyrtarët amerikanë.
“Kurti është njeriu më i gabuar për fazën, sepse është njeriu që konsiderohet më i pabesueshëm nga zyrtarët amerikanë. Ne e pamë që zyrtarët amerikanë, prej presidentit e poshtë, nuk e qajnë kokën për çfarë po mendon dhe si po ndihesh, ose a është i drejtë një vendim i tyre”, ka thënë Ymeri.
Ai ka përmendur edhe rastin e presidentit ukrainas Zelensky, i cili, sipas Ymerit, u detyrua të pranojë gabimet e tij pas takimeve me presidentin Donald Trump.
Ymeri ka theksuar rëndësinë e udhëheqjes në këtë periudhë, duke theksuar se “në këtë situatë është e rëndësishme cili është njeriu që prin”.
“Sepse e kemi parë që presidenti Trump flet me individin. Kaq e thjeshtë, a është politike dhe e drejtë kjo absolutisht jo”, ka deklaruar Ymeri në RTV Dukagjini.