Katër muaj më parë, Telegrafi kishte raportuar nga burime të sigurta pranë këngëtares Yllka Kuqi, për shtatzëninë e saj.
Pas një periudhe relativisht të gjatë heshtjeje, këngëtarja nga Gjakova vendosi që pikërisht në ditën e Shën Valentinit ta konfirmojë që është në pritjen e ëmbël.
Ajo ka realizuar një fotografi të veçantë dhe shumë artistike me bashkëshortin e saj, Astrit Pallaskën, i cili shihet duke përqafuar barkun e këngëtares, teksa kjo e fundit pozon e mbuluar me një material të bardhë dhe transparent.
Dyshja duken shumë të lumtur, teksa numërojnë për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të parë.
“Dashni” ishte mbishkrimi i këngëtares Kuqi në përshkrimin e kësaj fotografie, duke lënë të kuptohet se Shën Valentini i këtij viti ka qenë më i veçanti për të dhe burrin e saj.
Yllka përndryshe nuk ka qenë shumë aktive këto kohë në aspektin e prurjeve të reja muzikore dhe arsyeja duket të jetë fokusimi në jetën e saj private. /Telegrafi/