Golden Eagle Ylli ka shënuar fitoren e radhës në Superligë, duke mundur Ponte Prizrenin në udhëtim me rezultat 80:88 (26:23, 15:27, 17:21, 22:17), në kuadër të javës së 25-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Njëherësh Ylli është skuadra e vetme, që në stinorin pranveror nuk ka pësuar asnjë humbje.
Takimi në Prizren ishte interesant, ku çereku i parë ishte i barabartë, derisa përfundon me tri pikë të vendasve, 26:23. Skuadra mysafire ishte më e mirë në periudhën e dytë, duke e fituar 15:27. Pjesa e dytë ishte afërisht e barabartë, ku periodën e tretë e fitojnë mysafirët 17:21, derisa ajo e fundit përfundon 22:17. Në fund Ylli triumfoi me rezultat 80:88.
Ty Nichols u dallua te Ponte Prizreni me 21 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime, kurse te Golden Eagle Ylli më i miri në parket ishte Valon Bunjaku me 24 pikë, 11 kërcime dhe shtatë asistime.
Ponte Prizreni tani ka 13 fitore dhe 10 humbje, kurse te Golden Eagle Ylli 16 fitore dhe gjashtë humbje.