Evropiani i Francës është një ngjarje që motivon më shumë talentët e rinj të përfaqësueseve pjesëmarrëse.
Janë të shumtë ata talentë që marrin pjesë për herë të parë në ‘Euro 2016’ që e shohin si skenën më të mirë për të shpalosur vlerat e tyre.
Elseid Hysaj është një prej atyre futbollistëve që do të kërkojë ta shfrytëzojë në maksimum këtë kampionat.
I lindur në shkurt të vitit 1994, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare konsiderohet si një prej kandidatëve për të fituar trofeun e ‘Lojtarit të ri më të mirë të turneut’ që do të jepet nga UEFA.
Qeveria e Futbollit evropian ka ngritur një komision të veçantë për këtë çmim ku në garë janë ata lojtarë që kanë lindur në 1994 e më pas.
Në këtë komision janë përfshirë Sir Alex Ferguson, Alen Zhires dhe Joan Lupescu, transmeton TCH.
Hysaj tashmë e ka krijuar vendin e tij në futbollin evropian, por edhe në këtë garë të veçantë. Ai do të konkurrojë fort me emra të tillë si Anthony Martial, Kingsley Coman, Marcus Rashford, Raheem Sterling e të tjerë, lojtarë që luajnë në klubet më prestigjioze të Kontinentit të Vjetër.