Site icon Telegrafi

Ylli i Barcelonës befason të gjithë me reagimin e tij për penalltinë e anuluar të Alvarez

Ka pasur shumë diskutime në Spanjë këtë javë pas penalltisë së anuluar të Julian Alvarez nga VAR-i në ndeshjen ndaj Real Madridit, me pretekstin se ai e ka prekur topin dy herë. 

Vendimi shkaktoi shumë pakënaqësi në kampin e Atletico Madridit, të cilët besojnë se janë tradhtuar nga VAR-i. 

Këto ndjenja do të mbizotërojnë edhe kur Atletico Madridi do të përballet me Barcelonën të dielën, në atë që premton të jetë një duel i zjarrtë në kontekstin e garës për titull. 

Duke folur për mediat para kësaj ndeshje, mesfushori i Barcelonës, Gavi, u pyet për rastin e penalltisë së Alvarez. 

Lexo po ashtu Ish-legjenda e Milanit i hedh benzinë zjarrit: Alvarez e preku topin vetëm një herë

Reprezentuesi spanjoll ishte diplomatik me përgjigjen e tij dhe nuk deshi që të komentonte nëse ishte vendim i duhur apo jo. 

“Nuk dua të përfshihem. Gjyqtarët janë ata që vendosin dhe ata i dinë rregullat. Nuk e d se si punon kjo, por çfarëdo që vendosin gjyqtarët, ne duhet ta besojmë atë”. 

“Nuk e di saktësisht se si shkon kjo, por unë do të veproja kështu: nëse ai e prek dy herë, atëherë do ta përsëritja penalltinë, por nuk e di dhe t’i lejojmë gjyqtarët të vendosin”, ka thënë Gavi. 

Duket që Gavi ka nënkuptuar se gjyqtari i ndeshjes do të duhej të paktën ta lejonte Alvarez që ta godasë sërish penalltinë. 

Sidoqoftë, goli i shënuar nga argjentinasi në fund ishte i pavlefshëm, duke hapur rrugën që Real Madridi ta sigurojë kualifikimin në çerekfinale./Telegrafi/

Exit mobile version