Telegrafi

Yjet vishen në të zeza në Golden Globes, protestojnë ndaj ngacmimeve seksuale në Hollywood

Shumë yje të filmave do të veshin një gardërobë të zezë në ndarjen e çmimeve Golden Globes, në shenjë proteste ndaj ngacmimeve seksuale në industrinë e filmit.

BBC raporton se edhe shumë aktorë meshkuj do të bashkohen me protestën, me qëllim të promovimit të fushatës “Time’s Up”, kushtuar viktimave të ngacmimit seksual dhe shfrytëzimit.

Catherine Langford (Foto: Getty Images)

Njëra prej aktoreve të nominuara, Catherine Langford, ka thënë se yjet do të veshin zi për t’u solidarizuar me viktimat e ngacmimeve seksuale në Hollywood, por edhe për ta mbështetur luftën për barazinë gjinore.

Këngëtarja dhe aktorja, Mary J. Blige, është shprehur se nuk e ka përjetuar personalisht një gjë të tillë, por do të vishej në të zezë në shenjë mbështetjeje.

Lexo po ashtu Rrëfimi i Salma Hayek: Weinstein më kërcënoi me vdekje

Edicioni i 75-të i Golden Globes është ceremonia e parë e madhe, pasi Hollywoodi u godit nga skandali i ngacmimeve seksuale, ndërsa fjalimi hyrës i mbrëmjes i nikoqirit Seth Mayers do t’i kushtohet kësaj teme.

(Foto: Getty Images)

Një numër i madh i aktoreve hollivudiane e kanë akuzuar producentin Harvey Weinstein për keqtrajtim seksual dhe përdhunim, ndërsa ai deri më tani i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke thënë se marrëdhëniet seksuale kanë qenë me pranim nga aktoret dhe se ato po gënjejnë se i ka detyruar.

(Foto: Getty Images)

Po ashtu, në shënjestër të akuzave është edhe aktori Kevin Spacey, i cili është akuzuar për keqtrajtim seksual dhe për shqetësim edhe të femrave edhe të meshkujve, gjatë karrierës së tij 30-vjeçare.

Ceremonia e Golden Globes zhvillohet të dielën (7 janar) nga ora 20:00 me kohë lokale në Los Angeles (kurse te ne në orët e para të mëngjesit të hënës). /KP/Telegrafi/