Telegrafi

YIHR KS dënon ngjarjen në urën e Bistricës, ku u plagos një person – kërkon drejtësi dhe përgjegjësi

YIHR KS ka dënuar fuqishëm incidentin që ndodhi në orët e hershme të 10 prillit 2023, në urën e Bistricës, ku një serb i Kosovës u plagos nga të shtënat me armë zjarri ku përfshihej një polic i Kosovës.

Në reagimin për media thuhet se kjo është një shkelje e qartë e së drejtës për jetë dhe siguri dhe u bëri thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të bëjnë punën e tyre dhe të sigurojnë vendosjen e drejtësisë në këtë rast.

“Është thellësisht shqetësues fakti që Policia e Kosovës fillimisht mohoi çdo përfshirje pa kryer një hetim të duhur paraprak. Kjo lloj sjellje minon besimin e publikut në institucionet ligjzbatuese.

Është thelbësore që Policia e Kosovës të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të adresuar këtë çështje, për të siguruar që çdo incident të trajtohet në mënyrë transparente dhe në kohë të duhur. Është e domosdoshme që të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri për të rikthyer besimin e publikut në forcat e policisë dhe për të siguruar që incidente të tilla të hetohen dhe trajtohen siç duhet”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Plagosja në veri, arrestimi i katër policëve dhe deklarata e ministrit Sveçla  

YIHR KS thekson se është thelbësore që Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante të vazhdojnë ta mbajnë publikun të informuar për hetimet dhe gjetjet në vazhdim, në mënyrë transparente dhe të paanshme, në përputhje me ligjin.

“I bëjmë thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës dhe organeve përkatëse të prokurorisë që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe përgjegjësit për këtë krim të mbajnë përgjegjësi.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë e Shtetit në mënyrë që të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës zyrtarët policorë kur nuk i përmbushin standardet më të larta etike dhe profesionale.

Kjo përfshin sigurimin që mekanizmat e brendshëm për llogaridhënie dhe mbikëqyrje të forcohen dhe që zyrtarët që shkelin ligjin dhe besimin e publikut të mbahen menjëherë përgjegjës.

Ne solidarizojmë me viktimën e këtij incidenti dhe familjen e tyre dhe kërkojmë nga të gjitha institucionet përkatëse që të ndërmarrin veprime të shpejta dhe efektive për të siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe incidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/