Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së shtatë që janë në program për tu zhvilluar.
Orari do të jetë i njëjtë, ku ndeshjet fillojnë nga ora 15:00 dhe tre zhvillohen të mërkurën dhe dy të tjera të enjten.
Padyshim që ndeshja kryesore zhvillohet në kryeqytet, ku Prishtina do të përballet me Dukagjinin e Klinës në ditën e enjte.
Sfidë shumë interesante luhet edhe në stadiumin ‘Liman Gegaj’ në Malishevë, me Malishevën që është nikoqir i Llapit.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani të mërkurën luan në udhëtim te skuadra e rikthyer në elitë, Fushë Kosova.
Po ditën e mërkurë zhvillohet edhe dueli mes Gjilanit dhe Lirisë, me dy skuadrat që kërkojnë t’i ikin pozitave të fundit në tabelë.
Dueli i fundit për këtë javë zhvillohet ditën e enjte mes Feronikelit ’74 dhe Dritës. /Telegrafi/