Telegrafi

Xhaxhai i Aleks Nikës: SPAK të hetojë çështjen e ’21 Janarit’ nga fillimi, kemi një provë audio

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i vrarë në demonstratën e 21 janarit 2011, është shprehur se janë të gëzuar që kjo çështje u mor në dorë nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Komentet Nika i bëri në një lidhje për Euronews Albania, ku tha se do të besojnë te drejtësia shqiptare vetëm kur vrasësit e 21 janarit do të dënohen.

Ai tha gjithashtu se nipi i tij, Aleks Nika, u vra me duar në xhepa në mes të bulevardit, pasi sipas tij, ai kishte shkuar për të protestuar paqësisht.

“Ne këtë lajm e konsiderojmë të jashtëzakonshëm, pasi Gjykata e Lartë dhe ajo e Strasburgut hapi derën për drejtësi për 21 janarin. Nuk kemi gjetur drejtësi te drejtësia shqiptare. Është Gjykata e Strasburgut që rrëzoi të gjitha vendimet e gjykatave tonë dhe urdhëroi SPAK të hetojë çështjen nga fillimi. SPAK nuk e ka ndjekur çështjen, por është i detyruar që të zbatojë urdhërat e Gjykatës së Strasburgut dhe të Gjykatës së Lartë.

Lexo po ashtu Vrasja e Aleks Nikës, SPAK regjistron procedimin për 21 Janarin, tre veprat penale që do të hetohen

Në nuk jemi dorëzuar. Kemi një provë audio, që nuk ia kemi dhënë akoma SPAK. Aty është e regjistruar gjithë veprimtaria e Gardës së Republikës atë ditë, urdhërat që ka dhënë komanda dhe oficerë të tjerë të gardës. Urdhëri i ish-komandantit të Gardës së Republikës, që pasi u kthye nga zyrat e Kryeministrisë dha urdhër që të qëllohet me armë mbi demonstruesit.

Këtë ne e kemi të provuar, kemi provuar se është zëri i Andrea Prendin. Mirë ai që dha urdhërin, po atë kush e urdhëroi? Të gjithë e dinë se policia, ushtria nuk duhet të qëllojnë mbi turma. As fashizmi nuk ka përdorur armë mbi turmat. Ne mendojmë se çështja është sabotuar, është penguar. Po mos të ishte familja e Aleksit dhe të tjerët, ajo çështje do ishte harruar.

Një profesionist thotë kështu: ‘Nëse në një turmë qëllohet nga 23-pushkatarë dhe vriten 10 vetë dhe në trupat e tyre nuk gjendet plumbi, ata duhet të përgjigjen për vrasje në bashkëpunim’. Plumbi në kokën e Aleksit është i deformuar. Kemi informacione ka tentohet deformimi i çështjes së Aleksit. Madje nuk kanë pranuar as të na takojnë nga Prokuroria e Tiranës.

Drejtësinë e kemi kërkuar vetëm nga drejtësia. Jam i bindur se tani SPAK duke qenë profesionalisht të saktë, të pavarur politikisht dhe juridikisht mbi nivelin e të tjerëve, çështjen do e çojnë deri në fund. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që çështja të hetohet sa më shpejtë, fajtorët të shkojnë në gjyq dhe shqiptarët ta marrin vesh.

Nuk do ketë qetësi pa u dënuar vrasësit e 21 janarit. Ish-kryeministri tha i kemi vrarë ne. Nëse nuk kanë marrë këta pjesë në vrasje, pse i prishën provat? SPAK edhe mund të gabojë, sepse edhe ata prokurorë të zakonshëm janë. Ne besojmë vetëm atëherë që vrasësit do të shkojnë në gjyq. Dhe dihet se kush janë vrasësit. Aleksi u vra me duar në xhepa në mes të bulevardit”, tha Nika. /Telegrafi/