Telegrafi

Xhaka: Liga Premier, ëndërr që mund të realizohet

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, ka pranuar se ëndërron të luajë në Ligën Premier duke shtuar edhe më shumë spekulimet që e lidhin me një kalim te Arsenali.

Borussia Monchengladbach të martën konfirmoi se ka marrë një ofertë për mesfushorin 23-vjeçar që thuhet se ka arritur marrëveshje me Topçinjtë.

“Liga Premier nuk është qëllimi im, është ëndërr fëmijërore. Është ëndërr që mund të realizohet”, ka thënë ai për SRF, transmeton koha.net.

Xhaka në këtë intervistë nuk ka pranuar publikisht se është në bisedime me Arsenalin, por ka thënë se për të ardhmen e tij do të mësohet para nisjes së ‘Euro 2016’ që nis më 10 qershor.

“Tani për tani, jam lojtar i Gladbachut. Por kjo mund të ndryshojë në javët në vazhdim, ose jo. Definitivisht vendimi do të merret para Kampionatit Evropian”, ka shtuar ai.