Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka ofruar mbështetje për Eddie Nketiah, pasi Gabriel Jesus do të mungojë deri në tre muaj për shkak të operacionit në gju.
Futbollisti shqiptar ka thënë se produkti i Akademisë së Topçinjve do ta ketë gjithë mbështetjen për të pasur një rol të rëndësishëm në mungesë të brazilianit.
Jesus veçmë kishte pasur ndikim të rëndësishëm në Emirates Stadium që prej transferimit nga Manchester City dhe ka qenë një nga forcat shtytëse në garën e Arsenalit për titull.
Sulmuesi u detyrua të operohej për shkak të problemit me lëndim në Kampionatin Botëror me Brazilin dhe Xhaka, pasi e ka ngushëlluar Jesusin për lëndimin, ka folur në lidhje me zëvendësin potencial të tij në skuadër, Nketiah.
“Kam biseduar me të (Jesus) menjëherë pas ndeshjes ndaj Kamerunit. Kemi kontakt me njëri-tjetrin, me të gjithë lojtarët që i kemi këtu në Kampionatin Botëror”.
“Është për të ardhur keq, sepse e keni parë në javët e para të Ligës Premier sa i rëndësishëm ishte për ne. Nuk e di sa i rëndë është lëndimi, ndoshta dy ose tre muaj, mendoj. Por, ai është një djalë i fortë”.
“E kemi opsionin me Eddie, natyrisht. Ai ka zhvilluar ndeshje të shkëlqyera edhe në të kaluarën dhe ne duhet ta mbështesim fillimisht Gabin”.
“Duhet ta mbështesim po ashtu edhe Eddien, sepse ai do të jetë një pjesë shumë, shumë e madhe në dy ose tre muajt e ardhshëm. Jam duke e pritur këtë, sepse kemi cilësinë për ta sjellë Eddien këtu dhe t’i ndihmojmë”, u ka thënë Xhaka gazetarëve. /Telegrafi/