Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në tubimin e fundit të zgjedhjeve presidenciale të Bashkimit Demokratik për Integrim para të pranishmëve i mohoi spekulimet se mosshfaqja e tij gjatë fushatës zgjedhore ka lidhje me atë se kush do të bëhet kryetar shteti.
“Talati me konsensus është zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe nëse nuk arrihet censusi, nuk do të bëhet kryetar shteti, vetëm do të më shtohet një obligim shtesë më shumë, me çka do të ripërsëritet kjo procedurë. Besoj se pas rrethit të parë, të gjithë kuptuan se ideja e Ali Ahmetit për koncensualitet buron nga marrëveshja e Ohrit”, tha Xhaferi duke cekur se kjo ide do të mundësojë funksionalitet institucional, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Xhaferi përmendi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut me zemër dhe me shpirt vendosën të shkojnë drejt perëndimit në Evropë.
“Secili mendim tjetër na kthen pas, në çon diku në historinë e dhimbshme dhe askush nuk dëshiron të kthehemi pas. Unë si vëlla i juaj, kryetar i Kuvendit, jam i përcaktuar për opsionin për perëndimin dhe kjo vjen nga rilindasit tonë, që kanë thënë se për ne diell lind në perëndim”, tha Xhaferi.
Sipas tij duhet të votojmë që të arrihet konsensusi dhe duke mbështetur kandidatin koncesual./Telegrafi/