Xavi ka folur rreth Ligës së Kampionëve dhe Topit të Artë, ku ka shprehur dëshirë që këta trofe të fitohen nga Juventusi dhe Gianluigi Buffon.
Mesfushori spanjoll është i fundit që ka folur për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet në Cardiff me 3 qershor.
Sipas Xavit, Juventusi është një skuadër e madhe dhe me mbrojtje të fortë, por gjasat e fitimit të trofeut janë të barabarta.
Dëshira e ish-yllit të Barçës është që “Zonja e Vjetër” ta fitoj trofeun më të çmuar evropian për skuadra, teksa “Topi i Artë” të fitohet nga Buffon.
“Juventusi është një skuadër e madhe, këtë gjë e treguan duke eliminuar Barcelonën”, ka thënë fillimisht Xavi.
“Mbrojtja është një plus më shumë për ta. Shanset për fitimin e Ligës së Kampionëve janë 50/50”, përcjell Telegrafi.
“Personalisht shpresoj të triumfojë Juventusi, për shkak të Buffon, i cili e meriton plotësisht një trofe të tillë e më pas të regjistrojë një tjetër sukses, atë të Topit të Artë”, përfundoi legjenda e Barcelonës dhe Spanjës.
Ndryshe, edhe yjet tjera si Marco Materazzi, Antoine Griezmann kanë shprehur dëshirën e tyre që Topi i Artë të shkoj për portierin italian. /Telegrafi/