Pas triumfit të Deontay Wilder ndaj Dominic Breazeale, nuk mund të mungonte interesimi për duelin e shumëpritur kundër kampionit të unifikuar, Anthony Joshua dhe rimeçit me Tyson Fury, i vetmi që ka arritur t’i nxjerrë barazim kampionit të WBC-së.
Boksieri amerikan e mbrojti titullin duke e nokautuar kundërshtarin që në raundin e parë dhe ky ishte një mesazh i frikshëm për rivalët e tij.
“E kuptoj se çfarë ka bërë Tyson Fury. Kur rrëzohesh në atë mënyrë dhe nuk e di si ke rënë dhe si je ngritur, e kuptoj se duhet ta marrësh veten”.
“Këtë e bëri ai (Fury). Mirëpo dueli do të ndodhë. Rimeçi do të ndodhë”, ka thënë Wilder në lidhje me Tyson, me të cilin u ndanë baras në duelin për titullin e WBC-së, edhe pse amerikani e rrëzoi dy herë.
“Të gjitha duelet e mëdha do të ndodhin. E di se shumëkush dëshiron të dijë se kur do të ndodhë meçi me Joshuan. E mira është se të gjitha këto përballje janë duke u biseduar. Asnjë derë nuk është e mbyllur”, ka theksuar kampioni i pamposhtur i WBC-së. /Telegrafi/