Deontay Wilder pohon se kampioni i unifikuar, Anthony Joshua, nuk është në gjendje ta mposhtë as atë e as kundërshtarin e ardhshëm të amerikanit, Tyson Fury.
Tre boksierët vazhdojnë të përfshihen në një trekëndësh në majat e boksit në kategorinë e peshave të rënda.
Wilder dhe Fury do të ndeshen më 1 dhjetor 2018 (e shtunë) në Staples Center të Los Angelesit, ku do të luftohet për titullin WBC që e mban amerikani.
Fituesi i këtij dueli do ta ketë mundësinë që në një të ardhme të ndeshjet me AJ, i cili i posedon titujt WBA, IBF, IBA dhe WBO.
Joshua do ta zhvillojë duelin e ardhshëm në muajin prill të vitit 2019, mirëpo akoma nuk e ka zgjedhur kundërshtarin e tij, sepse dëshiron një sfidues potencial.
Ndërsa, sipas Wilder, 29-vjeçari nuk do të arrinte të triumfonte as ndaj tij e as ndaj kundërshtarit të tij, Fury.
“Mendoj se cilido që e fiton këtë duel (Wilder-Fury) mund ta quajë veten kampioni më i mirë në botë në kategorinë e peshave të rënda”.
“Duhet ta pranojmë, nuk duhet të flasim vazhdimisht rreth Anthony Joshuas, ata e patën mundësinë e tyre, e patën rastin. E patën shansin të dëshmonin dhe të shihnin se a ishte ai mall i duhur apo qumësht i prishur?”.
“Unë mendoj se ky duel (Wilder-Fury) do t’i tregojë botës në kategorinë e peshave të rënda se cili është më i miri i më të mirëve, sepse nuk mendoj se Joshua mund të më mposhtë mua, e as nuk mund ta mposhtë Furyn”.
“Personalisht kam një mendim dhe një bindje të fortë për këtë. Nuk mendoj se mund të ndodhë. Ai i pati dy mundësi t’ia dëshmonte botës, jo vetëm në vendin e tij, por të gjithë botës se a ishte më i miri. Jo vetëm me mua, por me Luis Ortiz”, ka thënë 33-vjeçari duke vazhduar më tej me kritikat ndaj Joshuas për kalibrin e kundërshtarëve që i ka zgjedhur.
Dueli ndërmjet Wilder dhe Fury është ndër më të priturit që nga koha e meçit ndërmjet Joshuas dhe Wladimir Klitschko në vitin 2017 në Wembley. /Telegrafi/